Ambasadorja Kim: Ngjarje historike, SHBA ka shpenzuar 35 milionë Dollarë në Shqipëri

Kanë mbërritur në Rinas 267 ushtarë amerikanë të cilët do të marrin pjesë në stërvitjen ‘Defender 21’. Trupat ushtarake janë pritur nga ambasadorja e SHBA, Yuri Kim. Në një deklaratë për mediat Kim është shprehur se stërvitja do sjellë impakt në ekonominë e vendit tonë.  

Është një ditë emocionuese. Shqipëria është mikëpritësi kyç nga të gjithë vendet e Ballkanit. Dua të nënvizoj se kjo stërvitje përveç përfitimi ushtarak sjell me vete punë dhe injektim në ekonomi. SHBA ka shpenzuar 35 milionë Dollarë për punësimin e shqiptarëve si shoferë, punëtorë ndërtimi apo kuzhinierë. Ne do të kemi më shumë se 6000 ushtarë amerikanë këtu, jo të gjithë njëherësh por herë pas herë”.

Në lidhje me mbërritjen e ushtarëve amerikanë, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bajram Begaj u shpreh se kjo është një ngjarje e madhe për vendin.

Është një stërvitje historike, një stërvitje që për herë të parë ndodh në Shqipëri. Sot pritëm 267 trupa amerikanë të cilët janë pjesë e kësaj stërvitje të madhe. Është një stërvitje komplekse që përfshin fushën ajrore, tokësore dhe detare”.

Stërvitja ‘Defender 21’ ka nisur më 26 Prill dhe do të vazhdojë deri më 20 Qershor. Pjesë e stërvitjes do të jenë 28 mijë trupa ushtarake.

Klan News