Në 5 muajt e parë të vitit, Shqipëria ka eksportuar 45 milionë Dollarë më pak mallra se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas Institutit të Statistikave, shitja e mallrave jashtë kufijve të vendit rezulton me 3.6% rënie në terma vjetorë, ndërsa ky hendek po mbushet nga importet duke thelluar më tej defiçitin tregtar të vendit.

Defiçiti tregtar, i cili tregon vlerën e mallrave që bizneset të cilat operojnë në vend eksportojnë jashtë duke i zbrituar ato që blihen përtej kufijve është 1.37 miliardë Dollarë, duke kaluar vlerën totale të eksporteve të 5 muajve e cila është 1.27 miliardë Dollarë.

Peshën më të madhe në këto humbje të shkëmbimeve tregtare e ka dhënë grupi i energjisë elektrike. INSTAT raporton se pesha e grupit minerale, energji dhe lëndë djegëse ka rënë me 8.2%.

Edhe industria e fasonëve ka pësuar rënie, grupi i prodhimit të veshjeve është ulur me 2.5%. Rënia e Euros por dhe recesioni në Itali, si vendi që është partneri i parë tregtar i yni, ka bërë që ky vit të nisë kthimin e shifrave në nivelet që vendi ynë ka patur në të kaluarën.

Tv Klan