Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Në Shkodër dhe Malësi të Madhe ka një minoritet serbo-malazez të organizuar në shoqatën Moraça-Rozafa, në vitin 1991. Që nga viti 1994, anëtarët e kësaj shoqate kanë aderuar në Partinë e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, duke zgjeruar degën e saj me anëtarë të tjerë jashtë minoritetit. Në zgjedhjet e 1 Tetorit PBDNJ ka fituar bashkinë e Vaut të Dejës.  

Ka shumë kohë që kjo degë kundërshton veprimet arbitrare të kryetarit Vasil Melo, pasi ky i fundit ka krijuar dy degë të reja të kësaj partie në Malësinë e Madhe dhe Vaun e Dejës, pa e diskutuar në strukturat lokale dhe qendrore të partisë sipas statutit. Në kundërshtim me statutin e kësaj partie, zoti Melo ka caktuar tre kandidatë për deputetë në Shkodër dhe Malësi të Madhe, pa e diskutuar me degën e kësaj partie.

Kryetari i degës së PBDNJ për Shkodrën Millan Vaso thotë, se zoti Melo edhe listën shumë-emërore, që ka bërë për proporcionalin e ka bërë vetë në mënyrë të fshehtë. Në këtë mënyrë dega e PBDNJ Shkodër, në Malësi të Madhe ka vendosur të ngrijë marrëdhëniet me zotin Melo./tvklan.al