Degët e gjuhës ruse e greke drejt mbylljes përfundimtare



Degët e gjuhës ruse e greke drejt mbylljes përfundimtare

15:51 25/10/2021

Dekania: Shteti t’u japë bursë

Për të tretin vit radhazi gjuha ruse nuk do të hapet sepse nuk ka asnjë të regjistruar.  Ndërkohë që për herë të parë  rrezikohet të mos hapet edhe gjuha greke.

Dekania e fakultetiti të gjuhëve të huaja Esmeralda Kromidha në një intervistë për Klan News thotë se për vlerat dhe historikun që mbart gjuha ruse, ky departament duhet të ruhet. Katedra e gjuhës ruse është themeluar para 74 vitesh.

“Kjo është një sfidë e universitetit, e fakultetit në radhë të parë. Është një sfidë e qeverisë, e Ministrisë së Arsimit për t’I mbajtur këto programe të cilat janë të rëndësishme për politikën, filozofinë, shkencën. Nëse duam që disa degë të mos mbyllen, mund të ishte një lloj burse që mund t’iu jepet këtyre të rinjve për të ardhur dhe për të ndjekur këto studime. Vetë ambasadat e vendeve janë ofruar dhe kanë ndihmuar me bursa studentët apo me bashkëpunime, janë bërë ndërmjetës të bashkëpunimeve me universitete të huaja. Nga ana tjetër, është puna jonë e madhe me kolgeët për të riparë programet”.

Nëse nuk do të ketë studentë që do të regjistrohen në raundin e tretë në këto degë, studentëve do t’iu kërkohet të bëjnë kërkesë dhe të regjistrohen në programe të tjera në degë të tjera”.

Veç anglishtes, vitet e fundit është rritur kërkesa e maturantëve për gjuhën gjermane, ndërkohë që në rënie është edhe interesi për gjuhën frënge.

Sipas dekanes së këtij fakulteti studentët që mbarojnë studimet te Gjuhët e Huaja kanë mundësi punësimi, por edhe vijimin e studimeve jashtë vendit. Ndërkohë që pranë këtij fakulteti çdo vit vijë studentë të huaj.

“Këta studentë janë këtu në kuadër të një projekti që ka nisur katër vite më parë midis Departamentit të Gjuhës Frënge, Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe Shkollës së Lartë Pedagogjike të Luzanës në Zvicër. Jemi fakultet I vërtetë ndërkombëtar, jemi duke vazhduar sfidën që ka marrë universiteti I Tiranës për ndërkombëtarizimin”.

Fati i gjuhës ruse dhe greke do të diskutohet dhe në nivel rektorati  pas mbylljes së raundit të tretë të regjistrimeve.

Klan News








Të ngjashme