Lëndohen 8 policë dhe 2 protestues nga përplasjet

Nisi paqësisht dhe degjeneroi në dhunë dhe përplasje me uniformat blu protesta e thirrur në rrjetet sociale pas vrasjes nga policia të 25-vjeçarit Klodian Rasha, orët e para të së martës. Me thirrjet për dorëheqjen e Ministrit Lleshaj, protestuesit tentuan fillimisht të futen në ambjentet e Ministrisë së Brendshme, ku u përplasën me uniformat e rendit.

Sende të forta e gurë u hodhën në drejtim të policisë, duke shkaktuar edhe plagosjen e disa prej efektivëve, të cilët ishin në mbrojtje të godinës. Më pas protesta u zhvendos përpara kryeministrisë. Edhe këtu nuk munguan përplasjet. Protestuesit hodhën gurë e kapsolla.

Disa herë pati tentativa për të hyrë brenda ambienteve të Kryeministrisë, por me mbërritjen e forcave të ndërhyrjes së shpejtë me gaz lotsjellës turma u shpërnda për pak minuta. Një grup protestuesish sulmuan edhe një automjet policie duke thyer xhamat e tij. Pasi tentuan disa herë ta djegin, protestuesit rrëzuan edhe pemën e krishtlindjes që ndodhej para selisë së kryeministrisë.

Më pas një pjesë e protestuesve u vendos sërish pranë Ministrisë së Brendshme, ku qëlluan me gurë  si dhe hodhën lëndë piroteknike. Të njëjtin fat pati edhe godina e bashkisë, ndërsa shpërthimit të protestuesve nuk i shpëtoi as pema dhe dekoret e vitit të ri në qendër të kryeqytetit. Protesta u mbyll përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës ku u shënuan disa incidente, por turma u shpërnda me ndërhyrjen e policisë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë 2 qytetarë dhe 8 policë kanë përfunduar në spital. Njëri prej të efektivëve të uniformave blu ka dëmtime me serioze pasi rrezikon humbjen e njërit sy dhe do ti nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale. Policia e shtetit thotë se 3 punonjës policie janë në gjendje më të rëndë në spital, pasi kanë dëmtime serioze në kokë dhe në trup ndërsa të tjerët janë në gjendje më të stabilizuar.

Tv Klan