Veliaj: Fjala e fundit u takon inxhinierëve, jo gjithologëve

Vendimi se çfarë do të bëhet me pallatet e dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit, në kryqytet do të merret nga ekspertët. Bashkia e Tiranës ka nisur dëgjesat me inxhinierët dhe ekspertët, në bashkëpunim me Institutin e Ndërtimit.

Erion Veliaj: Asnjë nuk e ka të lehtë kur largohet nga shtëpia, madje as kur ndërron një shtëpi ku ruan kujtimet e fëmijërisë, le më kur është i detyruar për shkak të tërmetit. Por, janë vendime të drejta e të rëndësishme, që duhet t’i marrim sot. Për çdo studim të thelluar të një pallati ka 7-8 libra me raporte, ka gjithashtu edhe oponencën teknike të Institutit të Ndërtimit.

Këshilli Bashkiak ka miratuar 3 mijë pagesat e para për dëmshpërblimet kesh, ndërsa janë në proçes të tjerat.

Qeveria e Edi Ramës ka disbursuar rreth 560 milionë lekë për fazën e parë. Do të kalojmë edhe 3100 emrat e tjerë, për ta mbyllur para pushimeve të verës procesin. Ndërkohë, miratuam 200 kontratat e para të shtëpive individuale DS4/DS5 dhe kemi marrë nga të gjitha studiot inxhinierike akt-ekspertizat për 92 objekte pallatesh, nga të cilat deri në këtë moment 52 kanë rezultuar për prishje, 10 për rikonstruksion, 8 në proçes diskutimi dhe të tjerat pa problematika”.

Kryebashkiaku nënvizoi se “KombinArt”, lagjja e re që do të ndërtohet në Kombinat do të strehojë mbi 20 mijë banorë, si dhe do të ketë katër institucione të reja arsimore, shkolla, kopshte, çerdhe, 9 pika social-kulturore dhe 5 sheshe.

Tv Klan