Rubrika “Shihemi në Gjyq” e “E Diela Shqiptare” ishte tepër e tensionuar këtë të diel, ku dy vëllezër në konflikt për një për një apartament, të cilin asnjëri prej tyre nuk e gëzon, shkuan herë pas here në përplasje fizike.

Fatmiri tha se në vitin 2009 kishte blerë një apartament me paratë e Petros, i cili prej më shumë se dy dekadash jeton dhe punon në Greqi. Apartamentin Fatmiri e kishte bërë në emër të vet gjatë marrëveshjes me firmën ndërtuese, por thotë se nuk e pretendon dhe se ai apartament do të bëhej në emrin e Petros në momentin që do të legalizohej. Problemi është se ata janë mashtruar nga firma ndërtuese dhe sot në atë apartament banon një person me emrin Ilir, i cili edhe ai nga ana e tij i ka hapur gjyq firmës ndërtuese me argumentimin se nuk ka blerë atë hyrje, por një tjetër në të njëjtin pallat.

Petro për gjithçka mban përgjegjës vëllain e tij, Fatmirin, të cilit e akuzon edhe si mashtrues,  ndërsa ky i fundit thotë se gjithçka ka dashur është t’i bënte mirë të vëllait.

Fatmiri: Me këto që po më bën mua, i bie që nuk është vëllai im ai. Rrezik plaka ime e ka ngatërruar, do ketë marrë ndonjë tjetër atje ku e ka lindur. Unë këtë apartament e bleva, vëllai mi dha nga pak të gjitha, nuk vura para nga xhepi im. Në emrin tim e bëra për të mos e munduar vëllain tim nga Greqia dhe të mos humbiste ditën e punës.

Petro: Nuk kam pasur dëshirë unë për të marrë apartamentin. Ky ka këmbëngulur, ky zotëria.

Ardit Gjebrea: Ti ia dhe bekimin vëllait që ta bënte me emrin e tij?

Petro: Ia dhashë zoti Ardit.

Ardit Gjebrea: Po pse?

Petro: Ky ka këmbëngulur për atë apartament, unë nuk kisha dëshirë dhe nuk kisha gjendje ekonomike.

Fatmiri: Ore palaço.

Petro: Ia dhashë lekët, por ky ka vepruar…

Fatmiri: Dëgjo këtu ti, dëgjo…(Fatmiri përplaset fizikisht me Petron)

Petro: Ky ka vepruar siç donte vetë…

Fatmiri: Po ti re dakord ore.

Petro: Nuk jam dakord me këtë, fare.  Ia kam dhënë, por nuk e mendoja kurrë që vëllai në kaq vite…

Fatmiri: Po ça të kam bërë ore palaço?

Zonja Eni: Është lidhur kjo kontratë 2 Tetor 2009 në mes zotit Fatmir Metaj dhe zotit Eqerem Mehmetaj që është “AFE Konstuksion SH.P.K”. Kemi një kontratë të rregullt, dhe apartamenti ekziston, por kur Fatmiri me Petron shkojnë për ta parë dhe për ta marrë shikojnë që apartamenti është i mbyllur. I mbyllur dhe nuk dinin se kush e kishte marrë këtë apartament. Pyesin firmën. Nuk e kishin çelësin.

Fatmiri: Apartamenti ishte i papërfunduar, në fazën e shtrimit të pllakave dhe ngeli jetim, nuk e morëm vesh nga shkoi zotëria.

Zonja Eni: Pra falimentoi firma.

Fatmiri: E gjetëm me portë të mbyllur, të tjerat ishin të hapura.

Zonja Eni: Kjo portë a u hap ndonjëherë?

Petro: Asnjëherë.

/tvklan.al