Edhe një herë, Donald Trump ka zënë faqet e para të mediave botërore prej deklaratave të tij.

I nominuari  i mundshëm i republikanëve për president tha se refugjatët që vijnë nga zonat e luftës do të kryejnë një atentat terrorist në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të krahasueshëm me atë të 11 Shtatorit 2001, ndaj kullave binjake.

Trump tha se do të ketë sulme të paimagjinueshme.

Miliarderi amerikan u shpreh se nuk ka asnjë dyshim për këtë, pasi refugjatët nga Lindja e Mesme, mbajnë në telefonat e tyre celular, flamurin e ISIS.

70 – vjeçari hodhi poshtë akuzat se është një anti – musliman, duke nënvizuar se është thjeshtë një anti – terrorist.

Në një ceremoni në Universitetin e Rutgers, Presidenti Obama shigjetoi miliarderin amerikan, duke thënë se “injoranca nuk është virtyt”.

“Në politikë ashtu si në jetë, injoranca nuk është një virtyt. Nuk është diçka e mirë të mos dish se çfarë po flet”, 

tha Obama.

Më herët, në një intervistë për mediat britanike, Trump kërcënoi se mund të mos ketë marrëdhënie të mira me Britaninë e Madhe nëse zgjidhet president, si kundërpërgjigje e deklaratave të Kryeministrit Cameron, që e kishte quajtur “budalla, përçarës dhe i gabuar”.

Tv Klan