Deklarata e ambasadës së SHBA, Tahiri: Nuk ka presion më të madh se ky mbi gjyqtarët

Deklarata e ambasadës së SHBA, Tahiri: Nuk ka presion më të madh se ky mbi gjyqtarët

11:43 21/09/2019

“Gënjeshtra mori një përgjigje jo të plotë”

Gjysmë të vërtetë e konsideron vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda që e dënoi për shpërdorim detyre dhe rrëzoi akuzat për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Në një konferencë për mediat nga hotel “Rogner”, ish-ministri i Brendshëm tha se ky vendim është një përgjigje për të gjitha gënjeshtrat e bëra në kurriz të tij, edhe pse jo e plotë. Betejën do ta vazhdojë në Gjykatën e Apelit, sikurse u shpreh, sapo të zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Pas dy vitesh hetimet nga prokuroria, karroca e prishur e dyshimeve mbi mua ndaloi në stacionin e parë. Heshta për të respektuar drejtësinë jo se nuk di të flasë. Unë kam besuar që ditën e parë që nuk duhet të ishte një gjyq popullor, por një gjyq shembullor. Unë heshta i bindur dhe e bëra vetëm në respekt të drejtësisë. Gënjeshtrat një ditë bien, siç bëri Prokuroria italiane, siç bëri Gjykata italiane, siç ndodhi edhe këtu. Ky sigurisht ishte një gjysmë lajm i mirë për mua. Gënjeshtrat morën një përgjigje edhe pse as e plotë, as përfundimtare, sepse për mua kjo nuk është drejtësi e plotë. Përkundrazi, beteja për të vërtetën time ndaloi dje vetëm në stacionin e parë dhe ka plot rrugë përpara. Vendimin unë do ta ankimoj sapo të zbardhet. Kush mendon para se të merrja unë detyrën, që kanabis kishte vetëm në Lazarat, gabohet rëndë. Unë sot akuzohem për shpërdorim detyre. Unë edhe mbrojtjen për këtë akuzë do e bëj përballë gjykatës siç më takon. Ka pasur Shqipëria ministra të Brendshëm të tjerë, ministra, Kryeministra. Një ministër i Brendshëm kur u vranë 4 qytetarë nuk u akuzua për shpërdorim detyre. Shesin mend e dëngla në emër të popullit dhe më bëjnë mua gjyqin në emër të popullit. Mua më intereson vetëm e vërteta ime dhe do t’i shkoj deri në fund. Mua më takon të rri e të pres, të marr vendimin e zbardhur të gjykatës dhe ta apeloj urgjentisht. Ka shumë qytetarë që sot më besojnë. Ka plot të tjerë që s’më besojnë dhe as do më besojnë kurrë me gjasë. I falenderoj dhe gazetarët, analistët dhe komentatorët që nuk janë kursyer. Ju them të gjithëve prisni, bëni durim, prisni! Në këtë vend që duket sikur parimet vlejnë pak, në këtë vend mund të bëhet dhe ndryshe dhe Shqipëria e fëmijëve të mi nuk mund të jetë kjo. Unë do vazhdoj ta bëj këtë betejë”.

I pyetur nga gazetarja e Tv Klan lidhur me deklaratat e ambasadës së SHBA dhe asaj britanike, si dhe qëndrimin e ish-ministrit Fatmir Xhafaj që shprehte pëlqimin për këto deklarata, Saimir Tahiri u përgjigj: “Do vijë dita që unë të kem një përgjigje për të gjitha këto. Nuk dua të abuzoj me asgjë dhe të bëj komente. Të jesh e bindur që unë e di shumë mirë kë kam rrotull, nuk jam nga ata që nuk e di”.

Për deklaratën e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që e konsideroi shkurajues këtë vendim, Saimir Tahiri u përgjigj me të njëjtën monedhë.

“Dekurajuese dhe për mua që i dëgjova ato deklarata. Në kulturën time nuk flitet për një vendim gjykate, për më tepër për një vendim gjykate që nuk është zbardhur akoma. Nuk besoj se ndodh dhe në Amerikë që një ambasadë flet për një vendim gjykate. E nuk besoj që mund të ekzistojë ndonjë presion më i madh mbi gjyqtarët se sa ky“.

Do të rikthehet ose jo në politikë në përfundim të “betejës së të vërtetës” sikurse e quan ai, Tahiri deklaroi se për momentin i intereson drejtësia dhe jo partia. E kur të vijë momenti për t’u rikthyer në politikë, ish-ministri u shpreh se këtë e vendos ai dhe nuk e ka në dorë partia.              

Sa i takon rikthimit tim në politikë, se di pse e kuptoni rikthim në qeveri ose në qeverisje. Nuk e kam menduar këtë punë tani. Jam duke u përpjekur t’i shkoj rrugës time për drejtësi deri në fund. Se çdo bëj me karrierën time dhe jetën time nuk e ka në dorë as partia as cilido individ në parti. Të jeni të bindur nuk e ka askush në dorë përveç vetes time. Më vlen më shumë drejtësia se sa partia”. /tvklan.al

Delta
LAJMET

Të ngjashme

AZHBR
UKT
UKT
Doktori