Mbrëmjen e sotme në “Opinion”, mbi diskutimin për dy vrasjet që tronditën vendin ditët e para të janarit, analisti Preç Zogaj, është shprehur se dënimi i autorëve duhet të jepet me rreptësinë më të madhe.

Duke folur mbi krimin e rëndë të ndodhur në Paskuqan ku kunati vrau kunatën e tij, në banesë, Preçi tha se vrasësit e grave duhet të ndëshkohen rëndë, ndërsa shkoi më tej kur tha se nëse një gruaje i jepet urdhri i mbrojtjes, asaj duhet t’i jepet edhe një armë për t’u vetëmbrojtur si dhe t’i ofrohen kurse për qitje.

“Nëse kjo ka bërë denoncim dhe s’ka asnjë reagim, këtë e ka vrarë policia.  Nëse policia i ka marrë kështu si sa për të kaluar radhën, se kështu lindin tragjeditë… unë nuk e di si zbatohet urdhri për mbrojtjen, por nuk mund të lihet kështu, se ka njerëz parahistorik, atëherë unë them që kujt ‘i jepet mbrojtja, duhet t’i jepet edhe arma gruas, edhe kurs për të bërë qitje, që të vetëmbrohet. Po si do ta zgjidhësh? Me edukim? ”, u shpreh Preçi.

Blendi Fevziu: Nëse kunati do ta dinte që kishte pistoletë mbi tavolinë, mund të mos i shkonte…

Preç Zogaj: Nuk po them të lejohet armëmbajtja pa lejë, unë po them që bashkë me urdhrin e mbrojtjes, t’i thuhet gruas urdhëro dhe armën, të bëhet edhe një kurs, se si do ta zgjidhësh? Do presim të edukohen?!

Mira Kazhani: Ajo zgjidhet duke mos u dhënë amnisti burrave vrasës…

Denada Toçe: T’i mbrojnë këto gra duke i futur nëpër qendra…

Preç Zogaj: Nuk po them që policia nuk mund të ndjekë sa maniakë ka këtu, se një budalla kthen nja dy gota dhe thotë po shkoj ta vras, duhet të jemi realistë.

Blendi Fevziu: Dhe Ministri i Brendshëm tha që s’mund të çoj polic në çdo krevat bashkëshortor, se ai e vret në krevat atë. Po rastet kur burri e vret gruan në shtëpi? Se kjo lidhet me mendësinë që burri gruas i bën ç’të dojë…

Preç Zogaj: Po ta dijë që ka armë, nuk shkon… /tvklan.al