Kritika të ashpra janë drejtuar ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas deklaratës së tij ku nuk e ka përjashtuar mundësinë e një lufte në Kosovë. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, e ka quajtur të papërgjegjshme këtë deklaratë të Kurtit. Ai ka përmendur prezencën e NATO-s në Kosovë duke thënë se kjo garanton sovrantitetin e Kosovës si shtet.

Tahiri konsideron se me këto deklarata kryeministri po tenton të zhvendosë vëmendjen prej problemeve të brendshme që nuk po mund t’i trajtojë qeveria.

Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi vlerëson se është koha që Kurti të japë dorëheqje.

“Menaxhimi i qeverisë Kurti është në dështim e sipër sepse menaxhim me të dobët nuk e di a kemi pasur ndonjëherë edhe pse e ka shumicën në parlament. Ndoshta krejt këto kauza është duke i bërë ta rrëzojë veten një ditë dhe ti sheh që nuk është për qeverisje sepse puna e tij nuk është duke funksionuar”.

Aktualisht qeveria është duke u përballur me greva në sektorin publik pasi po kërkohet rritje pagash në disa sektorë, ndërsa më problematike po konsiderohet ajo e mësimdhënësve ku edhe pas tri javësh ende nuk ka nisur procesi mësimor.

Tv Klan