Duke komentuar deklaratën e Presidenti francez Emannuel Macron që tha se do të japë “dritën jeshile” për hapjen e negociatave me Shqipërinë nëse Komisioni Europiane nxjerr raport pozitiv, Kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk duhet që qytetarët të krijojnë iluzione.

“Për hir të vërtetës unë këtu erdha me një qëllim të madh edhe me një detyrë. Qëllimi i madh ishte të realizoja sa më shumë kontakte dhe të bëja sa më shumë në hapat e fundit drejt konferencës së donatorëve që është pasnesër në Bruksel dhe më vjen mirë që koha u shfrytëzua me dobi në këtë aspekt. Tani të shikojmë rezultatet, edhe pse ka ende orë për të punuar për të arritur një rezultat pozitiv. Dhe detyra e kryetarit të radhës së OSBE për vitin 2020 që përfshinte disa takime të rëndësishme në funksion të vijimit të procesit të kryesimit të OSBE. Përsa i takon asaj që ju thatë, në fakt unë nuk e ndoqa dot Presidentin sepse isha në takime të tjera, por nga sa munda të lexoj është një sinjal pozitiv. Megjithatë unë dëshiroj që t’ju them të gjithëve që nuk kemi pse e ushqejmë veten me iluzione dhe me dëshira të skajshme, edhe pse shumë legjitime, sepse kjo gjë nuk varet nga ne. Dhe le të presim me durim, ndërkohë që të vazhdojmë të punojmë me këmbëngulje dhe me durim për të realizuar gjërat ashtu siç do t’i realizonim nëse do ishin hapur negociatat”, u shpreh Kryeministri.

Përsa i përket konferencës së donatorëve që pritet të mbahet të hënën në Bruksel, Rama tha se sipas pritshmërive të tij, nuk do të përmbushen të gjitha nevojat që duhen për të përballuar dëmet nga tërmeti.

E megjithatë, shefi i qeverisë shqiptare theksoi se fondet që do të mblidhen do të jenë të dobishme.

“Në raport me konferencën e donatorëve kam një pritshmëri të caktuar, e cila do të thotë që nuk bëhet fjalë për të arritur të përmbushim të gjitha nevojat, por sidoqoftë mbetemi në një nivel që sado modest, të mund të ketë një peshë në proces. Nëse realizojmë këtë, ne do të jemi të kënaqur, nëse shkojmë përtej kësaj ne do të jemi të lumtur”, u shpreh Rama.

Këto komente, Kryeministri i bëri në përfundim të vizitës së tij në dy ditore Gjermani ku mori pjesë në Konferencën e Sigurisë.

Konferenca e Donatorëve për mbledhjen e fondeve për të përballuar dëmet e shkaktuar nga tërmeti i 26 Nëntorit në vendin tonë, do të mbahet më 17 Shkurt në Bruksel. /tvklan.al