Ka shkaktuar reagim të fortë në Shkup deklarata e ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, i cili gjatë një interviste për mediat serbe deklaroi se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë gabuar rëndë kur kanë njohur Kosovën dhe se kjo gjë do u kthehet pas.

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani theksoi se Maqedonia e Veriut nuk i pranon ndërhyrjet nga zyrtarët serbë.

“Maqedonia e Veriut refuzon ndërhyrjen dhe vërejtjet e papërshtatshme nga zyrtarët fqinjë. Angazhohemi për stabilitet dhe bashkëpunim rajonal, duke përfshirë R. e Serbisë dhe R. e Kosovës. Presim sqarim nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë”.

Nuk ka vonuar përgjigja e ministrit serb të Mbrojtjes i cili përmes një postimi në rrjetet sociale shprehet se Serbia sillet si partner i besueshëm ndaj të gjithë fqinjve, por nuk mund të pranojë mosrespektimin e integritetit të saj territorial.

Por për të qetësuar fqinjët maqedonas, është kujdesur Presidenti serb Aleksandër Vuçiç.

“Mbrëmë zhvillova një bisedë të gjatë me Kovaçevskin dhe i thashë se nëse dikush në RMV është ndjerë i ofenduar, unë kërkoj falje. Maqedonasit janë vëllezërit tanë dhe nuk kemi asnjë problem me ta”.

Deklaratat e ministrit serb i dënoi edhe Kryeministri Edi Rama, i cili përmes një reagimi në rrjetet sociale i cilësoi ato kërcënime të rrezikshme të papranueshme.

Tv Klan