Nëse mes një çifti artistësh ka garë, atëherë marrëdhënia mes tyre nuk mund të funksionojë. Kështu mendon Besiana Mehmedi, mezzo-sopranoja nga Maqedonia e Veriut, e martuar prej vitesh me tenorin Shkodran Tolaj.

Në një lidhje në Skype me emisionin “Rudina”, Besiana Mehmedi tregoi më shumë rreth marrëdhënies së tyre ndërsa tha se nëse një ditë, njëri prej tyre do të duhej të hiqte dorë nga karriera, ajo do ta bënte këtë pa asnjë hezitim.

Rudina Magjistari: Sa vite keni bashkë?

Besiana Mehmedi: Më duket shumë gjatë dhe shumë shkurt njëkohësisht. Gjatë sepse kur kthehem pas dhe mendoj sa kemi udhëtuar, sa kemi koncertuar bashkë, sa festivale kemi marrë pjesë, vërtetë më duken shumë vite. Pastaj në atë konsideratën që kemi ushqyer për njëri-tjetrin… po ndiqja pyetjen tuaj më herët, a ka garë në profesionin mes artistëve? Nëse ka garë nuk mund të funksionojë një çift artistësh. Ne vijmë nga fusha e njëjtë, pavarësisht që unë me kalimin e kohës jam specializuar edhe në muzikologji dhe jap edhe Historinë e Muzikës në universitet, njihemi të dy si këngëtarë. Nëse nuk do të ishte kënaqësia që unë ndjej kur Shkodrani ka sukses në skenë dhe nëse nuk do ta ndjeja si sukses timin, ne nuk do të mund të funksiononim si çift. E njëjta gjë ndodh edhe në anën tjetër dhe çdoherë i kam thënë edhe të tjerëve. Nëse duhet njëri të tërhiqet nga karriera dhe tjetri të vazhdojë, unë pa asnjë hezitim do të thoja të vazhdojë Shkodrani, sepse besoj në kapacitetin dhe kualitetin e tij. Është një zë që rrallë gjendet dhe puna që po bën 3 vitet e fundit në Ansamblin Shtetëror si drejtues, vërtetë e forcon këtë bindje jo vetëm tek unë, por tek të gjithë ata që kanë patur besim profesional tek Shkodrani./tvklan.al