Një postim i ambasadores amerikane Yuri Kim që kujtonte shpalljen “non grata” të Tom Doshit ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik pasditen e së hënës. Gjatë emisionit Opinion në Tv Klan, analisti Baton Haxhiu tha se kjo deklaratë e Kim është presion politik. Megjithatë, sipas tij, kjo ka pasojat e veta. Haxhiu u shpreh se Doshi është kryetar i një partie tjetër dhe si i tillë ai mund të kandidojë.

“Ambasadorja duhet realisht, ose SHBA-ja është e obliguar, ky është presion politik, nuk është presion moral dhe presioni politik mendoj që është me pasoja. Ky mund të kandidojë. KQZ-ja mund të mos e lejojë ose mund ta lejojë që të jetë kandidat dhe pastaj do e shohim se çfarë do të jetë qëndrimi i Departamentit të Shtetit dhe ambasadës këtu”, tha Haxhiu.

Sipas analistit, Shqipëria ka një prej ligjeve më të ashpra në Ballkan sa i përket dekriminalizimit.

Ndërkohë më herët gjatë ditës së sotme, ambasadorja Yuri Kim përsëriti edhe njëherë thirrjen që kandidatët në zgjedhjet e 25 Prillit të jenë të pastër. Në një postim në Twitter, ajo risolli në vëmendje vendimin e DASH për shpalljen “non grata” të Tom Doshit dhe shkruante se “shqiptarët meritojnë më shumë se sa kaq”./tvklan.al