Ky është momenti kur një anije e patrulles kufitare turke godet fregatën greke “Gavdhos 09”, pranë ishullit të Imia-s, duke rrezikuar përplasjen me të.  Pamjet janë marrë nga kamerat e sigurisë së anijes greke.

Ngjarja ndodhi në orët e vona të së hënës, duke rritur ndjeshëm tensionin mes Greqisë dhe Turqisë. Athina akuzon Ankaranë se ka shkelur hapësirën territoriale, por kundërpërgjigjia e turqve ishte se ajo pjesë e Egjeut i takon Turqisë.

Tensioni është rritur veçanërisht pas deklaratës së ministrit të Jashtëm grek Nikos Kotzias, i cili tha për mediat vendase se nga ana e Athinës, nuk do të ketë më pergjigje diplomatike, por veprime në terren.

Deklarata e minitrit të Jashtëm grek është përkthyer si një kërcënim nga Turqia. Ministria e Jashtme turke reagoi duke thënë se Kotzias kaloi vijën e kuqe me deklaratën e tij dhe me qëndrimin jo paqësor, që nuk është i denjë për pozicionin që mban.

Greqia në bashkëpunim me qeverinë greko-qipriote po zhvillojnë kërkime për gaz në Egje, por ato kundërshtohen nga Turqia. Pak ditë më parë, Presidenti turk Rexhep Taip Erdoan kërcënoi se do të nxjerrë luftëanijet në kufi nëse kërkimet për gaz nuk ndalen.

Tv Klan