Gazetari Flamur Fezaj, duke folur për emisionin “Opinion” në Tv Klan nga Bostoni i SHBA, ka deklaruar se grupet kriminale shqiptare të përfshira në trafikun e kokainës, pastrojnë paratë e drogës në Shqipëri. Sipas tij, këto para pastrohen në fusha si ndërtimi, investime dhe aktivitete të tjera.

Duke folur për Eldi Dizdarin të arrestuar në Dubai për llogari të Italisë si pjesë e një grupi shqiptar të kokainës, gazetari Vezaj deklaroi se Dizdari ka disa biznese në Shqipëri që nuk figurojnë në emër të tij.

“Në Shqipëri këto personazhe janë të lidhur me ndërtues, të cilët bëjnë ndërtime në fushën e aviacionit, kanë kompani betoni. Eldi Dizdari në mënyrë indirekte ka dy karburante në Rrugën e Kombit dhe shumë biznese të tjera, ka qenë ortak i lidhur edhe me lojërat e fatit. Kështu që pasuria e tyre është marramendëse”.

Flamur Vezaj ka bërë edhe një deklaratë shokuese, ku u shpreh se një person nga Lushnja, i përfshirë në aktivitete kriminal, ka para cash më shumë se të gjitha grupet kriminale në Shqipëri. Bëhet fjalë për rreth 150 milionë Euro cash.

Ortaku i Eldi Dizdarit, që është një personazh nga Lushnja, është personazhi që ka më shumë lekë cash se të gjithë grupet kriminale që funksionojnë në Shqipëri. Unë dyshoj që është mbi 150 milionë Euro cash. Edhe rasti i Toyota Yarisit që ka ardhur në Shqipëri dyshohet se është e këtij personi nga Lushnja. Por që personat që janë arrestuar thjesht kanë qenë vetëm ata që kryenin transportin kundrejt përqindjeve të caktuara.

Të gjithë funksionojnë nëpërmjet agjencive dhe paratë cash që i disponojnë në vende të ndryshme të BE-së këta i lënë garant në një agjenci konkrete dhe në agjencinë tjetër, në vendin kundrejt përqindjes së caktuar, tërhiqen shumat e parave për t’u mos gjurmuar.  

Në Fushën e Aviacionit ke një kompleks banimi që po bëhet, buzë Lanës ke një pallat 8 katësh që po bëhet, në Himarë ke një hotel që po ndërtohet, në Dhërmi po ashtu. Janë paratë e të gjithë personave të lidhur me këto grupe kriminale, ku ka të bëjë Eldi Dizdari. Në hoteleri është investuar në Shqipëri, në lojëra fati. Shpresoj që në qoftë se autoritetet italiane mund të sjellin të dhënat e dosjes në Shqipëri, apo edhe komunikimet të cilat ndoshta janë interferuar, mund të nxjerrin perla të komunikimit me personazhe të njohura të Shqipërisë, qoftë zyrtarë të institucioneve, qoftë edhe biznesmenë të ndryshëm që kanë investuar në ndërtim në Tiranë”./tvklan.al