Ditën e sotme bëhen 75 vjet nga krijimi i Deklaratës Universale të së Drejtave të Njeriut. Me këtë rast, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka bërë një reagim në rrjetet sociale.
Ai thotë se ky dokument themelor ka shënjuar historinë e të drejtave të njeriut. Po ashtu, shprehet se Deklarata është ideal i përbashkët për të cilin luftojnë ta arrijnë të gjithë popujt dhe kombet.
Begaj përmend edhe rastësinë e bukur që në këtë 75-vjetor Shqipëria u zgjodh për herë të tretë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut në OKB.
“Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut- Dokumenti themelor që ka shenjuar historinë e të drejtave të njeriut mbush sot 75 vjet. Kjo Deklaratë është ideali i përbashkët për t’u arritur nga të gjithe popujt e gjithe kombet me qëllim që çdo individ të gëzojë në mënyrë të barabartë dhe pa diskriminin liritë dhe të drejtat themelore njerëzore. Është një përkim i bukur që në 75 vjetorin e saj, Shqipëria u zgjodh për herë të dytë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së. Institucionet tona do të vijojnë të mbrojnë e promovojnë të Drejtat e Njeriut për një botë me liri, drejtësi e barazi për të gjithë”, shkruan Begaj në rrjetet sociale./tvklan.al