Pas njohjes me deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, të bërë një ditë më parë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shqiptare shpreh keqardhjen që “vendimi i një institucioni të pavarur dhe kushtetues, siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kontekstualizohet si devijim apo zmbrapsje e progresit të Shqipërisë në kuadër të mbrojtjes së pakicave”.

Në një deklaratë për mediat nga kjo Ministri thuhet se “situata lidhur me shtetasin shqiptar Fredi Bejleri është e qartë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me votë unanime dhe bazuar në legjislacionin në fuqi, ka ndaluar kandidimin e tij në zgjedhjet e ardhshme vendore në Shqipëri, referuar faktit se legjislacioni elektoral shqiptar ndalon, për një periudhë 10-vjeçare, kandidimin e personave për t’u zgjedhur në postin e kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore, të cilët kanë qenë dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykatat shqiptare”.

Sa i përket respektimit të të drejtave të pakicave, MEPJ thotë se siç ka theksuar edhe në të shkuarën në raste të deklaratave për të njëjtën temë, sundimi i ligjit është në interes të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë, qofshin ata shqiptarë, përfaqësues të pakicës greke apo pakicave të tjera pa dallim, përjashtim apo diskriminim.

“Në Shqipëri garantohet e drejta e personave që u përkasin pakicave për t’u vetë-identifikuar si të tillë dhe e drejta e tyre e pronësisë pa diskriminim. Po kështu, është i garantuar ushtrimi i gjitha të drejtave elektorale të shtetasve që u përkasin pakicave. Mbi këtë bazë, çdo qytetar shqiptar, minoritar ose jo, ka të drejtën t’i drejtohet gjykatave shqiptare si organet kompetente për interpretimin e Ligjit në Republikën e Shqipërisë”.

Më tej, në deklaratë thuhet se qeveria e Shqipërisë është angazhuar në mënyrë të pakthyeshme në reformimin tërësor të vendit në të mirë të mirëqenies së të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe konsolidimit të arritjeve të shënuara në drejtim të pesë prioriteteve kyçe për përafrimin me Bashkimin Evropian. Raporti i fundit i Komisionit Evropian është dëshmia më e qartë e këtij progresi në funksion të hapit të radhës, çeljes së pakushtëzuar të negociatave për anëtarësim.

Në këtë frymë, MEPJ thotë se vlerëson mbështetjen e vazhdueshme dhe të vyer të Greqisë për Shqipërinë dhe mbarë rajonin tonë në avancimin e rrugës evropiane, veçanërisht tani në vigjilje të vendimmarrjes së afërt, nga ana e vendeve anëtare të BE-së.

“Partneriteti strategjik dhe miqësia mes dy vendeve tona, si dhe dialogu i pandërprerë për tejkalimin e çështjeve dypalëshe, përfshi fuqizimin e të drejtave të pakicës greke në Shqipëri dhe komunitetit shqiptar në Greqi kanë qenë dhe mbeten përparësi e qeverisë shqiptare. Shqipëria beson fuqimisht se vetëm zgjidhjet e bazuara në shtetin e së drejtës dhe kulturën politike evropiane janë me interes vital për të dy vendet”, mbyllet deklarata e Ministrisë së Jashtme./tvklan.al