Deklaratat e Hajdarit se është kërcënuar, flet Zv/Ministri i Brendshëm

Deklaratat e Hajdarit se është kërcënuar, flet Zv/Ministri i Brendshëm

22:37 28/10/2019

Deputetja Rudina Hajdari, nga foltorja e Kuvendit deklaroi këtë të hënë se ishte kërcënuar me jetë nga një deputet, emrin e të cilit nuk e bëri publik. Këtë denoncim ajo tha se e kishte bërë përmes një letre drejtuar kreut të Kuvendit.

Pikërisht për këtë rast Zv/Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari i ftuar në “Opinion” tha se kanë nisur procedurat për hetimin e rastit, ndërsa janë marrë masat për shtimin e masave të sigurisë për deputetët.

“Mund të them që ka nisur procedura për hetimin e rastit dhe për shtimin e masave të sigurisë. Gjithçka që garanton sigurinë të deputetes në fjalë dhe deputetëve të tjerë“.

I pyetur nëse hetimin po e bën policia, zv/ministri Lamallari tha:

“Hetimet në Shqipëri sipas Kodit të Procedurës Penale i bën Prokuroria dhe Policia Gjyqësore që përfshin oficerë të Policisë së Shtetit apo Prokurorisë janë të detyruar të zbatojnë të gjithë urdhrat dhe instruksionet e bëra nga Prokuroria. Që do të thotë se çdo provë, çdo deklaratë, çdo evidencë e cila i shërben një hetimi të caktuar është detyrim nga ky organ për ta shqyrtuar”.

Procedurat për hetimin e rastit në fjalë, zv/Ministri tha se kanë nisur pas shkresës që kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, i ka dërguar Ministrisë së Brendshme përpara seancës së sotme plenare.

“Deputetja ka shprehur qëndrimin e saj në parlament, por ka patur dhe një shkresë që është drejtuar Ministrisë së Brendshme nga Kryetari i Kuvendit”./tvklan.al





Grupi
LAJMET

Të ngjashme




Grupi