Ish-Kryeministri Sali Berisha zgjodhi që deklaratave të bëra mbrëmjen e së enjtes në “Opinion” nga Fatos Nano, t’i përgjigjej me anë të një videoje të postuar në rrjetet sociale. Teksa e shoqëroi me dixhiturën “Miq, fajin e ka Saliu”, Berisha përcolli disa deklarata të vjetra të Nanos për Edi Ramën.  

“Edi Rama ka një problem moral, e kam marrë me thonj të paprerë refugjat nga Parisi dhe e kam sjellë të bëjë pjesë në ekipet tona qeverisëse dhe përfaqësuese”.

Unë mund të kem bërë shumë gjëra, por e nxora nga bataku i fyerjeve, nga refugjat dhe shitës ikonash të vjedhura në kohën e Saliut, në Ministër dhe kryetar të Bashkisë më të madhe të Shqipërisë”.

Në një rrëfim të pazakontë për gazetarin Blendi Fevziu, ish-Kryeministri Fatos Nano, tha ndër të tjera se nuk ndihej aspak i penduar për mundësinë që i dha Edi Ramës vite më parë kur e ftoi në kabinetin e tij qeveritar si Ministër Kulture, madje vlerësoi kontributin e tij tashmë si Kryeministër.

Krejt të kundërtën deklaroi për Sali Berishën, ish-rivalin e tij në politikë, me të cilin bëri jo pak betejë të ashpër, por edhe marrëveshje politike.

“Sali Berisha hyri në politikë si intelektual. Në momentin që mori drejtimin e PD, ai u bë politikan. Ai ka mbikëqyrur që nga idea e parë që hodhi vetë deri në realizim, deri në atëherë kur ra shteti në ’97, burgosjen dhe mbajtjen time në burg. Ai u kthye në kafshë politike. Jam i detyruar të them që në 21 Janar 2011, Sali Berisha pushoi së qeni politikan”, u shpreh mes të tjerash Nano./tvklan.al