Elisa ndan një dramë shumë të rëndë familjare në rubrikën “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Në moshën 35-vjeçare ajo ka takuar për  herë të parë nënën e saj biologjike, e cila e kishte lënë në maternitet kur ishte vetëm njëditëshe.

Arsyeja ishte një sekret tronditës familjar pasi Elisa është fryt i një dashurie të ndaluar mes nënës biologjike dhe kunatit të saj. Tezja e Elisës lëngonte nga një sëmundje e rëndë dhe ndërroi jetë një vit pas ardhjes së saj në jetë.

Elisa nuk e di nëse tezja e saj e mësoi ndonjëherë për marrëdhënien e të  shoqit dhe së motrës apo për lindjen e fëmijës. Vetë ajo e ka ditur që ka qenë e birësuar, por ka pritur derisa prindërit adoptues janë  ndarë nga jeta për të takuar ata biologjikë.

Ardit Gjebrea: Ti kur e ke marrë vesh këtë histori?

Elisa: Unë e kam marrë vesh kur kam qenë në shkollë, por nuk kam dashur për të arritur dhe për të lënduar shpirtin e dy prindërve të mi që më morën aq të vogël.

Ardit Gjebrea: Ti që në shkollë e more vesh që ishe vajzë e kësaj dashurie?

Elisa: Jo. Unë thjesht në shkollë kam marrë që nuk jam vajza e Arqile Dhamos, që është babai im që nuk jeton më, por jam vajza e Luljetës.

Ardit Gjebrea: Por kur more vesh që ishe vajza e kësaj historie?

Elisa: Përpara 3 vjetësh, kur unë kam qenë 35 vjeçe kam marrë vesh që unë jam vajza e Luljeta Lukanit dhe Ramazan Jollës. Atëherë, kam dashur për të shkuar dhe për t’i takuar. I kam takuar dhe kur kam arritur për t’i takuar, më kanë thënë që kjo ka qenë historia jote, kishin edhe fëmijë të tjerë mbrapa…

Ardit Gjebrea: Cilët fëmijë të tjerë mbrapa?

Elisa: Kanë bërë edhe 4 fëmijë mbrapa, mbrapa meje. Kanë bërë tre motra, kanë edhe një djalë.

Eni Çobani: I njëjti çift.

Elisa: Babai, pasi ka vdekur tezja ime këta janë martuar po të dy./tvklan.al