Ambasadorët, oficerët me gradë madhore në FA të detyruar të deklarojnë pasurinë

Qeveria kërkon të zgjerojë kategoritë e zyrtarëve që duhet të deklarojnë pasurinë, në kuadër të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Në mbledhjen e fundit janë miratuar disa ndryshime në ligjin ekzistues, në të cilat specifikohen qartë se kush janë personat e ekspozuar politikisht që kanë detyrim deklarimin e pasurisë, përveç politikanëve, gjyqtarëve, drejtuesve të lartë të kompanive shtetorëve dhe zyrtarëve të tjerë të rëndësishëm.

Në nenin 1, pika 10 shtohet se detyrimi për të deklaruar pasurinë do të jetë dhe për: “Anëtarët e organeve drejtuese të bankave qendrore, ambasadorët dhe të ngarkuarit me punë si dhe oficerët me gradë madhore në Forcat e Armatosura, drejtuesit e lartë dhe/ose anëtarët e organeve drejtuese të shoqërive shtetërore, si dhe drejtorët, zëvendësdrejtorët ose anëtarët e bordit ose çdo pozicion tjetër i ngjashëm me to në një organizatë ndërkombëtare”.

E përveç personave që mbajnë këto funksione, nuk përjashtohen as familjarët e tyre. Në ndryshimet e bëra nga qeveria në projektligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, përcaktohet edhe rrethi familjar i afërt që ka këtë detyrim.

“10/1. Anëtarët e familjes së personit të ekspozuar politikisht janë:

a) bashkëshorti/ja apo bashkëjetuesi/sja e një personi të ekspozuar politikisht;

b) fëmijët dhe bashkëshortët/et e tyre apo bashkëjetuesit/set;

c) prindërit e një personi të ekspozuar politikisht.”

Që ndryshimet të hyjnë në fuqi, projektligji do duhet të marrë dakordësinë e deputetëve në komisione e më pas në seancë plenare.

Klan News