Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish sot lidhur me dekretin e Greqisë që i jep të drejtë të zgjerohet deri në 12 milje në det.

Në konferencën me gazetarët për të bërë bilancin e fundvitit, kreu i qeverisë tha se nuk ka pse të reagojnë kundër Greqisë, pasi të njëjtën gjë e ka bërë dhe Shqipëria në vitin 1990, por nuk e ka zbatuar dot vendimin e saj.

Ju kërkoni nëse u kuptova mirë që ne të reagojmë ndaj shtetit grek. Për çfarë të reagojmë ndaj shtetit grek dhe çfarë ka këtu akoma për të mos u kuptuar? Mendoj se çdo mendje normale duhet të përqendrohet.

Ata që i frynë këtij zjarri janë të qëllimshëm, qoftë nga Lalëzi, qoftë nga Presidenca, e qoftë nga Prishtina janë të qëllimshëm. Kjo bëhet për të luajtur me ndjenjat kombëtare, dhe kërkojnë një sebep për sherr dhe të ndajnë punët mes tradhtarësh dhe patriotësh. Në mënyrën më të shëmtuar të mundshme”, tha Rama.

Më tej shtoi se nuk mund të ketë marrëveshje të fshehtë mes shteteve pasi deti është para të gjithëve dhe nuk mund të merret. Po ashtu ai tha se çështja e detit mes Greqisë dhe Shqipërisë do të zgjidhet në gjykatë ndërkombëtare dhe shtoi se nuk negocion kurrë për interesat e kombit./tvklan.al