“Ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës, në dëm të qytetarëve”

Një ditë pasi e firmosi në manifestimin e mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Presidenti Ilir Meta ia ka nisur zyrtarisht Kuvendit dekretin për kthimin mbrapsht të ndryshimeve në ligjin për Gjykatën Kushtetuese.

Por përveç sqarimeve juridike, që sipas kreut të shtetit e bëjnë këtë dekret antikushtetues, për herë të parë ai shoqëron atë edhe me akuza të forta politike ndaj mazhorancës dhe parlamentit.

Sipas Metës, me ndryshimin në ligjin që u jep të drejtën të zgjedhurve në organet e drejtësisë të organizojnë ceremoninë e betimit nëse nuk thirren nga Presidenti i Republikës është në shkelje të Kushtetutës.

“Paralelisht me paraqitjen e këtij propozimi absurd dhe antikushtetues, përmes kësaj nisme ligjore, mazhoranca synonte t`i jepte zgjidhje qëllimit të kahershëm të saj, rrëmbimit të kompetencave të Presidentit të Republikës, dhe kufizimit të rolit të Kreut të Shtetit në këtë proces, për të cilin kjo mazhorancë tashmë kishte nisur edhe një proces hetimor parlamentar shtesë ndaj vetë Presidentit të Republikës”.

Në arsyetimin drejtuar Kuvendit, Meta rendit një sërë akuzash për mazhorancën, parlamentin dhe ligjin në fjalë.  

“Përbën shkeljen më të rëndë të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve në një shtet të së drejtës; përbën  tejkalim të kompetencave kushtetuese të Kuvendit në procesin e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese; dëshmon shkelje të parimit të luajalitetit kushtetues; cënon legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese; dëshmon qartë se Kuvendi mono- partiak synon kapjen me çdo kusht të Gjykatës Kushtetuese për të emëruar kandidatë që gëzojnë mbështetjen vetëm të një force politike, duke rrëmbyer kompetencat e Kreut të Shtetit”.

Meta akuzon mazhorancën qeverisëse se nuk po ndal tentativat e saj për të uzurpuar çdo pushtet për të arritur si “trofe final” edhe kapjen e të gjitha emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që sipas tij për këto shkelje të rënda të kryera me miratimin e ligjeve antikushtetuese, mazhoranca të ketë garancinë se do të qëndrojnë në fuqi në çdo gjykim përpara kësaj gjykate.

Tv Klan