Një ditë përpara afatit të fundit për të vendosur mbi kërkesën e dytë të Kryeministrit Edi Rama, për të dekretuar gjeneral Sandër Lleshin si Ministër të Brendshëm, Presidenti i Republikës Ilir Meta thotë se nuk ndikohet nga presionet.

Pak orë përpara skadimit të këtij afati të dytë 7-ditor sipas përcaktimit në Kushtetutë, kreu i shtetit nuk jep një përgjigje për vendimin e tij, por thotë se e di si funksionin Kushtetuta për shkak të karrierës së tij politike. Meta thotë se është i gatshëm të japë shpjegime në parlament për këtë çështje, për të cilën në ditët në vijim do të shprehet sërish në mënyrë institucionale.

Unë jam President për të respektuar i pari Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, këtë e kam bërë dhe e bëj me përkushtim maksimal dhe nuk ka asnjë presion që mund të ndikojë tek unë për të cenuar Kushtetutën. Unë jam në pozitën e Presidentit pas një eksperience në pozitën e Kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit edhe e di shumë mirë se si funksionon procedura e emërimit të ministrit në vendin tonë, edhe nga pozita e Kryeministrit edhe nga ajo e Kryetarit të Kuvendit edhe tani nga pozita e Presidentit. Në ditët e ardhshme do të merrni përgjigje institucionale dhe korrekte dhe unë nuk kam ndër mend të përfshihem në debate të karakterit politik apo spekulativ

”.

Në një konferencë të gazetarëve të Europës Juglindore të zhvilluar në Tiranë, Meta u pyet edhe për arratisjen e ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikola Gruevski.

Tv Klan