Pak ditë pasi deklaroi se tre kryebashkiakë të majtë do të preken nga zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëroi se në radhët e mazhorancës ka edhe deputetë, që kanë fshehur të dhënat në formularin e vetëdeklarimit. Këtë deklaratë kreu i opozitës e bëri pas mbledhjes së Grupit Parlamentar.

“Pas ferrave ka jo lepuj por derra të mëdhenj. Le t’ia lëmë prokurorisë që të merret me politikanët që i kanë fshehur të dhënat”, deklaroi Basha.

Reforma zgjedhore është një kusht për demokratët, ndaj dhe Basha ripërsëriti qëndrimin se e vetmja urgjencë për vendin janë zgjedhjet e lira e të ndershme.

“Ta harrojnë se BE do hapë negociatat pa zgjedhje të lira dhe të ndershme. Janë prioriteti numër një”, theksoi Basha.

Për Reformën në Drejtësi, Basha tha se në këtë proces rëndësi kanë standardet dhe jo koha. Ai u shpreh i gatshëm të negociojë me maxhorancën për draftin e paketës së ndryshimeve kushtetuese, që sipas tij nuk lejon kapjen politike të sistemit të drejtësisë. /TV KLAN