Prej 1 viti nuk kthen përgjigje për 2 kryetarë bashkie

Një vit pasi i kërkuan prokurorisë të verifikojë të kaluarën e dy kryebashkiakëve socialistëve, Mark Babanit të Vaut të Dejës dhe Qerim Ismailajt të Mallakastrës, Partia Demokratike akuzon Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çelën, për zvarritje të procesit. Përmes një letre drejtuar zyrës së kryeprokurorit, numri dy në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi bën atë përgjegjës për zgjatjen me qëllim të afatit 3 mujor dhënien e përgjigjes, duke u bërë pengesë për zbatimin e ligjit të dekriminalizmit.

“Për fat të keq, konstatojmë se me ardhjen tuaj në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, procesi i verifikimit të figurës së zyrtarëve publikë është frenuar dhe ju jo vetëm keni deformuar/ndryshuar mënyrën e zbatimit të ligjit (siç ishte rasti i shtetasit Agron Malaj), por po pengoni tërësisht zbatimin e ligjit të dekriminalizimit. Ky është një zhgënjim i madh për qytetarët dhe secilin prej nesh, që priste korrektësi në përmbushjen e detyrës kushtetuese nga Prokurori i Përgjithshëm, i zgjedhur pas hyrjes në fuqi të Reformës në Drejtësi”, thuhej në letrën e PD-së.

Partia Demokratike kërkon nga Prokuroria e Përgjithshme informacion të detajuar për të gjitha veprimet administrative që janë kryer deri më sot për shqyrtimin e kërkesës për verifikimin e figurës së dy kryebashkiakëve. Mark Babani akuzohet nga demokratët se ka qenë i arrestuar, ndaluar dhe dëbuar  në Itali e Maqedoninë e Veriut dhe ka mbajtur tre emra. Ndërsa Qerim Ismailaj akuzohet se ka qenë i arrestuar, ndaluar dhe dëbuar nga autoritetet greke. Por të dy kryebashkiakët i kanë hedhur poshtë akuzat.

Tv Klan