Zbutjen e tensioneve me Korenë e Veriut, administrata e ish-Presidentit amerikan Donald Trump e ka patur në axhendë, gjë që u pasua me një takim mes Trump dhe Kim Jong në vitin 2019, i pari i një Presidenti amerikan në detyrë.

Pas këtij takimi, Trump dhe Kim Jong shkëmbenin letra mes tyre. Por në një audio-regjistrim të publikuar së fundmi nga CNN dhe Washington Post, Donald Trump pranon se letrat që ai i shkruante Kim Jong Un në vitin 2019, i mori me vete pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, edhe pse ishin sekrete.

Këtë e ka pranuar vetë Trump në një intervistë që ai i dha gazetarit Bob Woodward në Dhjetor të atij viti.

Në atë kohë, Trump i tregoi gazetarit letrat që Kim Jong Un i kishte shkruar, duke i thënë: “Askush tjetër nuk i ka, por dua që t’i trajtoni me respekt. Dhe mos thoni që ja u kam dhënë, në rregull”?

Por 1 muaj më pas, kur gazetari i kërkoi të shikonte letrat që Trump i kishte shkruar liderit të Koresë së Veriut, ish-Presidenti iu përgjigj: “Ato janë shumë sekrete”.

Në letrat që Trump shkëmbente me Kim Jon Un, të dy bënin urime për ditëlindje ndaj njëri-tjetrit.

Këto komente të bëra nga Donald Trump në atë kohë kundërshtojnë pretendimin e tanishëm të ish-Presidentit se kur u largua nga detyra nuk mori me vete dokumente sekrete, që kulmuan me kontrollin nga ana e FBI-së gjatë verës në rezidencën e tij private, ku u gjetën dokumente të klasifikuara si sekrete dhe tepër sekrete. /tvklan.al