Një bisedë e përgjuar mes Albert Veliut, skafistit me nofkën “Babalja” dhe kunatit të tij Fredi Alizotit, është prova kryesore e Prokurorisë kundër këtyre dy personave në lidhje me akuzat për trafik droge për vëllain e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Në këtë bisedë, të dy duket se diskutojnë për të marrë një shumë prej 200, 100 apo 20 mijë Euro, nga një person që nuk e identifikojnë.

Në bisedën e përgjuar dhe të zbardhur në dosjen e Prokurorisë, Fredi Alizoti po ashtu citohet të ketë thënë se ai kishte bërë sikur fliste në vend të “vëllait të vogël”, person që Prokuroria pretendon se është Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Në dosjen e Prokurorisë është edhe ekspertiza e mbërritur nga një studio në Britaninë e Madhe. Ekspertët e huaj që kanë analizuar materialet gjithsesi nuk marrin përsipër të japin verdiktin, nëse skafisti Albert Veliu bisedoi apo jo me Agron Xhafajn apo me Fredi Alizotin.

Skafisti nga Vlora, Albert Veliu, deputeti i PD-së Ervin Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi janë nën akuzë për atë që prokuroria e konsideron një inskenim. Në materialet që u publikuan nga selia e PD, pretendohej se Agron Xhafaj ishte ende aktiv në trafikun e drogës nga Vlora përtej Adriatikut.

Tv Klan