Ekzekutohet ish-anëtari i “Bandës së Lushnjes”



Ekzekutohet ish-anëtari i “Bandës së Lushnjes”

19:45 17/10/2021

38-vjeçari u gjet i pajetë anës lumit Shkumbin

Ky është Alban Semaku, i njohur para vitit 2011 edhe me emrin Elton Mermali. 38-vjeçari nga Lushnja u gjet i ekzekutuar me 2 plumba në breg të lumit Shkumbin në afërsi të fshatit Çezmë të Peqinit mëngjesin e së dielës nga kalimtarë të rastit. Trupi i tij i pajetë u identifikua nga nëna në morgun e Peqinit. Viktima është një person me precedentë penalë në të shkuarën i njohur si ish-anëtar i “Bandës së Lushnjës”.

Në vitin 2006 ai u ekstradua nga Italia pasi gjykata e Lushnjes e akuzonte si pjesëmarrës në vrasjen e Bledar Haxhiut dhe Artan Sulçes në tetor të 98-ës. Pas daljes nga burgu ai do të kthehej sërish në qeli në mars të vitit 2015 kur u arrestua për një kanosje me armë. Në momentin e ndalimit iu gjet me vete një pistolete Zastava, një krehër me 6 fishekë dhe dy doza heroinë. Për këtë ai u dënua me 6 vite e 8 muaj burg, dënim që e ka kryer pikërisht në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.

5 muaj më parë, në maj të këtij viti Semaku doli nga burgu. Burime të policisë thanë se gjatë kësaj kohe bënte një jetë të vetmuar dhe nuk ruhej. 4 ditë më parë është parë në një nga lokalet e Lushnjes. Sipas burimeve nga policia, 38-vjeçari ka marrë një plumb në shpinë dhe një tjetër në brinjë.

Dyshohet se vrasja ka ndodhur diku tjetër, shumë orë më parë dhe më pas trupi i pajetë është hedhur pranë lumit Shkumbin. Kjo zonë është e izoluar, pa ndriçim, pa banesa apo biznese afër dhe nuk ka kamera sigurie. Megjithatë policia ka mbledhur pamjet filmike nga kamerat e sigurisë të bizneseve përgjatë aksit Elbasan-Peqin në përpjekje për të identifikuar autorët. Policia nuk ka ende një të dyshuar për vrasjen, por pista kryesore ku po hetohet është ajo e larjes së hesapeve mes grupeve kriminale që veprojnë në qytetin e Lushnjes.

Tv Klan








Të ngjashme