Koleksioni përbëhet nga 230 makina të rralla dhe të markave të ndryshme

Më shumë se 230 makina të vjetra, duke përfshirë disa klasike me vlerë disa qindra mijëra Euro secila kanë dalë në një ankand në Holandë. Ky koleksion i rrallë makinash është ruajtur për dekada nga një koleksionist sekret, i njohur si Zoti Palmen.

Gallery Aaldering u bë pronar i koleksionit disa muaj më parë pasi Palmen, i cili nuk ka asnjë trashëgimtar, u detyrua ta shesë atë për shkak të moshës dhe problemeve shëndetësore.

“Shumica e makinave klasike janë 40, 50 dhe 60-vjeçare dhe shumica e tyre janë restauruar, disa edhe dy herë. Por shumica e këtyre makinave nuk janë përdorur kurrë”.

Koleksionisti sekret kurrë nuk i tregoi makinat e tij, por përkundrazi i mbajti ato të fshehta.

“Ai ishte shumë i kujdesshëm me koleksionin e tij sepse e donte  shumë atë dhe nuk e ndjente nevojën t’i tregonte botës makinat e tij luksoze. Sigurisht, disa njerëz e dinin për koleksionin, por ai nuk u ekspozua kurrë. Kjo është ajo çfarë e bën këtë koleksion kaq unik”.

Koleksioni, të cilin Palmen e ruante në një kishë të papërdorur përmban makina nga markat si Alfa Romeo, Lancia, Maserati, Ferrari, Facel Vega, Aston Martin, Jaguar dhe shumë të tjera.

Shumica e makinave do të shiten  duke filluar nga 25,000  deri në 75,000 euro, por  disa prej tyre vlejnë qindra mijëra euro secila dhe njëra prej tyre Lancia Aurelia B24 Spider America me timon të djathtë, mund të arrijë në rreth 2.5 milionë euro.

Ankandi tashmë ka filluar dhe do të  përfundojë më 7 qershor.

Klan News