Prej vitesh sezone artistike, drama shqipe në raport me atë të huaj, gjithnjë ka qenë në një raport të zhdrejtë. As festivalet, netët apo laboratorët e dramës shqipe nuk ia dolën t’i sillnin spektatorit të teatrit më shumë krijimtari vendase.

Arsyet e  artikuluara nga njerëzit që bëjnë teatër kanë qenë të ndryshme, si mungesa e një bashkëpunimi mes dramaturgut dhe regjisorit, prurjet e dobëta apo mosnjohja e veprave shqiptare.

Në këtë përpjekje të vazhdueshme për t’i dhënë dramës shqipe  hapësirën e saj në skenat shqiptare, Teatri i Metropolit i është drejtuar arkivit të Bibliotekës Kombëtare dhe nga nëntoka e saj do të ngjisë në skenë, në një festival të vetëm tre të tilla, “Loja e Mbasdrekës” e Martin Camaj, drama e ndaluar “Armiqtë” e Shpëtim Ginës dhe “I biri i Begut” nga Milo Duçi.

“Të njohim veprën e arkivit, të eksplorojmë cilat janë pikat e forta të vlerave kombëtare dhe çfarë mund të bëjmë ne për ta zhvilluar veprën shqiptare”,

tha përgjegjësja e Artit Skenik të Teatrit Metropol, Armela Demaj.

Investimi tjetër është edhe rikthimi në skenë i aktorëve të karrierës.

Për mitin klasik të Orfeut dhe Euriditës, regjisorja Jondia Beqo po punon për të sjellë një model të ri të të bërit teatër që nga grimi, kostumet dhe skenografia./ Tv Klan