Lideri i opozitës ruse Alexei Navalny ka dalë nga gjendja e komës, thotë spitali gjerman “Charite”.

Navalny qëndroi për rreth 3 javë në koma pasi u helmua gjatë një udhëtimi ajror në Siberi. Gjermania ka deklaruar se Navalny u helmua me “Noviçok”, lëndë helmuese e rrezikshme e ndaluar.

Gjendja e tij është e stabilizuar, thonë mjekët gjermanë, të cilët sqarojnë se Alexei po u përgjigjet stimujve të jashtëm.

Ekipi i liderit të opozitës ruse thotë se Alexei Navalny u helmua me urdhër të Presidentit të Rusisë Vladimir Putin, ndërsa ky i fundit ka mohuar çdo akuzë të tillë.

Edhe Kancelarja gjermane Angela Merkel është shprehur se ndaj Navalny është bërë një tentativë vrasje, dhe ka kërkuar nga Rusia që të hetojë me prioritet këtë ngjarje, në të kundërt do të ndërmarrë sanksione ndaj Rusisë sapo Gjermania të marrë Presidencën e Bashkimit Europian. /tvklan.al