Del nga spitali rivali i Putinit


Del nga spitali rivali i Putinit

13:12 23/09/2020

Politikani rus i opozitës Aleksej Navalni qëndroi në klinikën universitare të Berlinit për rreth një muaj dhe luftoi për jetën për një kohë të gjatë. Por tani shërimi i tij po ecën shpejt.

Aleksej Navalni ka dalë nga spitali Charité. Në këtë spital, në Klinikën Universitare të Berlinit atë e mjekuan gjithsej 32 ditë, për helmim të rëndë. Për javë me radhë ai ishte në sektorin e reanimacionit të spitalit, në gjendje kome artificiale.

Mjekët tani thanë se shëndeti i kritikut të Kremlinit është përmirësuar në një masë të tillë sa që mund të marrë fund trajtimi i tij në spital. Për shkak të rrjedhës së mëparshme të sëmundjes dhe gjendjes aktuale, është i mundur një shërim i plotë i Nawalnit. Pasojat eventuale afatgjata të helmimit të rëndë mund të vlerësohen vetëm më vonë.

Navalny pësoi kolaps më 20 gusht në një fluturim brenda Rusisë. Pilotët bënë pas kësaj një ulje emergjente në Omsk të Siberisë, ku atë e mjekuan në klinikën lokale. Më 22 gusht atë e sollën me avion në Gjermani, për ta kuruar në Charite. Siç vërtetuan më vonë disa laboratorë specialë evropianë, politikanin rus e kishin helmuar me një agjent nervor të ndaluar ndërkombëtarisht nga grupi Noviçok.

Gjermania dhe vendet e tjera evropiane po kërkojnë që Rusia të bëjë hetime për atentatin. Qeveria ruse deri tani nuk ka parë prova të helmimit në Rusi me një substancë nga grupi Noviçok. Ky rast ka sjellë një tendosje të madhe në marrëdhëniet politike midis Berlinit dhe Moskës./tvklan.al





Të ngjashme