Për shumë njerëz, pijet pas punës janë një mënyrë e zakonshme për t’u çlodhur pas një jave të ngarkuar. Por një punonjës në Japoni mund të vuajë pasoja afatgjate, pasi humbi një USB tejet të rëndësishme.

Përse? Ajo përmbante të dhënat personale të gati gjysmë milioni njerëzve.

Personi në fjalë, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, e futi USB-në në çantë përpara se të dilte në qytetin e Amagasaki, në veriperëndim të Osakës.

Ai kaloi disa orë duke pirë në një restorant të zonës, aq shumë sa nuk e vuri re derisa mbërriti në shtëpi që kishte humbur çantën. Sipas BBC personi në fjalë punonte për një kompani të ngarkuar me ofrimin e përfitimeve për familjet e përjashtuara nga taksat.

Ai kishte transferuar të dhënat personale të të gjithë banorëve të qytetit në USB të martën në mbrëmje përpara se të takohej me kolegët në qytet.

Zyrtarët e qytetit thanë se në të përfshiheshin emrat, datat e lindjes dhe adresat e të gjithë banorëve të qytetit. Ajo mbante gjithashtu informacione të ndjeshme, si detaje tatimore, numrat e llogarive bankare dhe informacionin për familjet që marrin sigurime shoqërore.

Për fat të mirë, zyrtarët e qytetit thanë se të dhënat e përfshira në USB janë të koduara dhe të mbrojtura me një fjalëkalim. Ata shtuan se deri më tani nuk ka pasur asnjë shenjë se dikush ka tentuar të aksesojë informacionin.

Por incidenti aspak i këndshëm bëri që kryebashkiaku i qytetit dhe drejtues të tjerë t’u kërkonin falje banorëve.

“Jemi tejet të keqardhur që kemi dëmtuar thellësisht besimin e publikut në administrimin e qytetit”, tha një zyrtar i qytetit Amagasaki në një konferencë për shtyp./tvklan.al