Drejtuesi i ‘Benzit’ humbi kontrollin prej shpejtësisë së lartë

Këto janë momentet kur çifti i të rinjve përplasen nga mjeti ‘Benz’ teksa ecnin në trotuar, pak meta larg kryeministrisë. Ka qenë ora 13:53 minuta. Fillimisht mjeti për shkak të shpejtësisë së lartë, kryen manovra në rrugë dhe më pas merr drejtimin për në trotuar. Në këtë moment dy të rinjtë përplasen nga automjeti që drejtohej nga 21-vjeçari Jorgaq Thëngjilli, tashmë i arrestuar.

Djali rrëzohet në tokë dhe spostohet disa metra, ndërsa kamera nuk ka fiksuar vajzën.

Dy sekonda më pas shfaqet në video 21-vjeçari, drejtuesi i mjetit, i cili vë duart në kokë, pasi shikon çfarë kishte shkaktuar.

Shkak i aksidentit sipas policisë u bë shpejtësia tej normave të lejuara, ndërsa ndaj drejtuesit të mjetit policia ngriti akuzat e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Sipas policisë, nga testi me aparat dragger, rezultoi se ai nuk ishte nën ndikimin e alkoolit apo lëndëve narkotike. 

Vajza iu nënshteuar një ndërhyrje kirurgjikale në spitalin e Traumës dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ajo u vizitua edhe nga ministri i Brendshëm Taulant Balla.

21-vjeçari, Jorgaq Thëngjilli rezulton i njohur për efektivët e policisë rrugore në kryeqytet, pasi është ndëshkuar disa herë edhe për shpejtësi tej normave të lejuara.

Klan News