Një delegacion i Parlamentit Europian viziton sot Tiranën në përpjekje për të ulur palët në bisedime pas djegies në bllok të mandateve nga opozita.

Të dërguarit e Parlamentit Europian që u përkasin të gjitha grupeve do të takojnë fillimisht pasdite krerët e opozitës, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi.

Më pas në axhendë është parashikuar një takim me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj për të vijuar me Kryeministrin Rama dhe ministrin e jashtëm në detyrë Gent Cakaj.

Takimet do të zhvillojnë edhe gjatë së enjtes me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi e më pas me përfaqësues të shoqërisë civile.

Grupimi i partive popullore përfaqësohet nga Cristian Dan Preda dhe Tunne Kellam. Grupimi i socialistëve dhe demokratëve në këtë delegacion përfaqësohet nga raportuesi për Shqipërinë Knut Fleckenstein dhe Juan Fernando Lopez Aguilar. Pak ditë më parë raportuesi për Shqipërinë, Knut Fleckenstein deklaroi se vendimi i opozitës për heqjen dorë nga mandatet është një pengesë serioze në funksionimin e demokracisë në Shqipëri, se ai është kundërproduktiv dhe minon progresin që vendi ka bërë në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Pjesë e delagacionit janë edhe eurodeputetët të grupimit liberal e demokratë që përfaqësohen nga  Ilhan Kuçuk. Grupimi i gjelbër nga Tamas Mezcerics. Grupimi i konservatorëve dhe reformistëve (ECR) do të përfaqësohet nga Bas Belder dhe grupimi i Europës së kombeve dhe lirive (ENF) Jean-Luc Schaffhausser. Në përfundim të takimeve delegacioni i Parlamentit Europian do të ketë një deklaratë për mediat.

Tv Klan