Delegacioni iranian ka mbërritur në Romë ku do të marrë pjesë në bisedimet bërthamore me Shtetet e Bashkuara. Ministri i Jashtëm dhe kryenegociatori i Iranit, Abbas Araghchi kanë mbërritur në Itali, sipas agjencive iraniane të lajmeve.
Abbas Araghchi dhe i dërguari i Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, do të negociojnë në mënyrë indirekte, një javë pas një raundi të parë në Muscat që të dyja palët e përshkruan si konstruktiv. Bisedimet e para SHBA-Iran për programin bërthamor u zhvilluan në Muscat më 12 prill.
Me kërkesë të palëve, raundi i dytë i bisedimeve tashmë do të mbahet në Itali. Raundi i ri vjen pasi të dy vendet zhvilluan negociatat e tyre të nivelit më të lartë që kur Presidenti i SHBA Donald Trump braktisi në mënyrë të njëanshme një marrëveshje bërthamore të vitit 2015. Irani që atëherë ka braktisur të gjitha kufizimet në programin e tij bërthamor.
Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se do të sulmojë Iranin nëse nuk bie dakord për një marrëveshje me SHBA-në. Irani beson se arritja e një marrëveshjeje mbi programin e tij bërthamor me Shtetet e Bashkuara është e mundur për sa kohë që Washingtoni është realist.
Klan News