Specialistët: Mos neglizhoni asnjë simptomë dhe vaksinohuni

Fluksi i qytetarëve që i drejtohen mjekut të familjes gjatë muajit Korrik është shtuar ndjeshëm pas mbërritjes së mutacionit Delta. Sipas specialistes Bruna Shiroka pranë Qendrës Shëndetësore 3, pacientët paraqesin simptoma të virozave të stinës, por dhe të COVID-19.

“Çdo pacient që vjen me simptoma të tipit të rrufës, temperaturës, dhimbjes së fytit apo dhimbjes muskulare që mund të lidhet me një ftohje muskulare nga kondicioneri apo rrymat e ajrit, çdo pacient vlerësohet si i dyshuar me Covid. Për hir të vërtetës, ditët e fundit ka qenë në rritje të vazhdueshme, pra pacientë me simptomatologji të ngjashme me virozat, të dyshuar të infektuar nga koronavirusi, kemi një numër në rritje në vazhdim. Arrin 6,7,8 çdo ditë që nuk është normale për stinën”.

Duke qenë se në vendin tonë po qarkullon dhe varianti Delta i koronavirusit, mbrojtja më e mirë sipas specialistëve ndaj tij është vaksinimi.

“Vaksina është një element që vlerësohet nga mjeku dhe është mjeku i familjes në bazë të udhëzimeve dhe urdhëresave që kanë marrë nga Instituti i Shëndetit Publik që vendos se çfarë vaksine është e nevojshme dhe çfarë mund të mos bëhet te një individ. Pra, është një thirrje që i bëhet popullatës të mbetur pa vaksinuar, të paraqiten pranë qendrave, e kanë hapësirën në çdo kohë, në çdo ditë të javës, pa limit”.

Mjekja bën thirrje që të gjithë personat që shfaqin temperature apo simptoma të ngjashme me ftohjen ose COVID-19 duhet t’I drejtohen mjekut të familjes për ekzaminim.

Klan News