Autoritetet bëjnë thirrje që uji i pijshëm të vlohet

Tërheqja e ujit nga zonat e përmbytura në Mitrovicë, Skënderaj e Klinë ka nxjerrë në pah dëmet reale të shkaktoi moti i keq që goditi Kosovën pasditen e së enjtes.

Dëme të mëdha ka pësuar infrastruktura rrugore, teksa balta ka mbuluar hapësirat publike.

Pasojat më të mëdha janë në ekonomitë familjare, pasi uji që vërshoi nëpër shtëpi ka prishur të gjitha orenditë dhe pajisjet elektronike.

Banorët thonë se përmbytje të tilla nuk i kanë hasur kurë në jetën e tyre.

Ata kërkojnë ndihmën e shtetit jo vetëm për të larguar ujin dhe baltën që ka mbuluar katet e para të banesave, por edhe për të kompensuar dëmet e shkaktuara.

Ministria e Brendshme në një komunikim për mediat bëri të ditur se po ndërhyhet në infrastrukturën e prekur nga vërshimet në mënyrë që shërbimet dhe qarkullimi për qytetarët të normalizohet. Gjithashtu në fokus vazhdojnë të jenë kërkesat dhe nevojat e familjeve që janë evakuuar dy ditët e fundit.

Ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos e përdorin ujin e rrjetit për pirje, para se ta vlojnë. Kjo si një masë për shmangur epidemitë e mundshme që mund të shpërthejnë për shkak të turbullirës që kanë shkaktuar shirat.

Tv Klan