Kjo është ajo çfarë ka lënë pas breshëri që ra gjatë natës në Shkodër

Reshjet kanë shkatërruar kulturat bujqësore. Banorët thonë se nuk ishin përgatitur për një situatë të tillë ndërsa shprehen se gjithë mundi u ka shkuar dëm.

“Janë 3 dylym dhe 70 metra tokë, vetëm këtu mua më ka bërë 800 mijë Lekë”, është shprehur një qytetar.

Sipas drejtorisë së bujqësisë në Shkodër, dëme në të mbjella ka patur në disa fshatra të Shkodrës. Bëhet fjalë për një sipërfaqe toke prej 350 ha.

“Dëmet janë të pallogaritshme sidomos në periudhën e cila përkon me hedhjen e perimeve, vendosjen e tyre në fushë, në lulëzimin e vreshtave, në pemtore, në ullinj, dëmi është i jashtëzakonshëm”.

Breshëri dëmtoi gjithashtu edhe bimët dekorative ndërsa lëvizja në rrugë ishte e vështirë. Punonjësit e bashkisë ndërhynë për të bërë të mundur qarkullimin.

Si pasojë e motit të keq pati probleme edhe me furnizimin me energji elektrike.

Klan News