Në një konferencë të përbashkët për shtyp nga Tirana me Kryeministrin Rama, ministri i Jashtëm i Italisë Luigi Di Maio shprehu mbështetjen e vendit të tij për Shqipërinë në përballimin e dëmeve që la pas tërmeti i 26 Nëntorit.

Ministri Di Maio theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira dhe bashkëpunimi duhet të forcohet më shumë.

“Përsa i përket angazhimit dypalësh, marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera. Ne kemi edhe të dhëna që bëjnë të mundur të çojmë më tej marrëdhëniet tona. Do të jemi të lumtur që të fuqizojmë më tej luftën tonë të përbashkët kundër korrupsionit”, u shpreh Di Maio, duke shtuar se Italia do të asistojë edhe me teknikë për të bërë të mundur verifikimin e dëmeve që shkaktoi tërmeti.

“Ka qenë një bisedë mjaft e frytshme me Kryeministrin sepse pata rastin të theksoj afërsinë e Italisë ndaj Shqipërisë, jo vetëm për anëtarësim, por edhe përsa i përket çështjes së goditjes së pësuar nga tërmeti. BE duhet të bëjë dhe do të bëjë më shumë. Ato burime që u vunë në dispozicion përbëjnë vetëm fazën e parë të ndihmave. Do të vëmë në dispozicion teknikët që të mund të hartojmë një dëm paraprak të shkaktuar nga tërmeti. Është një rast dramatik dhe shpreh ngushëllimet e mia, por përbën edhe një rast për të shprehur afërsinë e institucioneve evropiane për Shqipërinë”, tha ministri i Jashtëm i Italisë.

Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama bëri me dije se me ministri Di Maio diskutoi edhe për ndryshimet në legjislacion kundër krimit të organizuar, apo siç Kryeministri preferon ta quajë KÇK, “Kap Ç’a të Kapësh”.

“Italia ka qenë dhe mbetet partneri ynë kryesor i pari dhe padiskutim vendi që nuk është kursyer asnjëherë në mbështetje të transformimit të Shqipërisë nga një diktaturë në një demokraci funksionale. Me ministrin kemi diskutuar edhe Reformën e Drejtësisë, edhe legjislacionin e ri kundër KÇK-së, pra krimit të organizuar, edhe për njësinë speciale kundër korrupsionit. Dua ta falenderoj ministrin edhe për mbështetjen që Italia ka dhënë edhe për marrjen e kryesisë së OSBE nga Shqipëria”, deklaroi Kryeministri Edi Rama. /tvklan.al