Rezolutë që i kërkon nënpresidentit të zbatojë Amendamentin 25

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan paraqitën këtë të hënë kërkesën për shkarkimin e Presidentit Donald Trump, në ditët e fundit të mandatit të tij.

Rezoluta e prezantuar në një seancë të shkurtër akuzon Trump për “nxitje të kryengritjes” dhe për inkurajim në mënyrë aktive të dhunës në protestën e 6 Janarit. Drafti i bën thirrje nënpresidentit Mike Pence të mbledhë kabinetin e Shtëpisë së Bardhë bazuar në Amendamentin e 25-të të Kushtetutës amerikane. Por seanca u ndërpre nga kundërshtimi i ashpër i një ligjvënësi republikan nga Virxhinia Perëndimore dhe do të vazhdojë të martën.

Sipas demokratëve, sulmi në Kongres ishte një kryengritje e organizuar nga presidenti në detyrë. Demokratët thonë se ai është i paaftë për të vazhduar detyrën dhe se ka shkelur betimin, argumente për shkarkimin e tij që i përfshin Amendamenti i 25-të.

Mediat amerikane thonë se Pence mund ta aktivizojë këtë Amendament, nisur edhe nga fakti se marrëdhëniet e tij me Trump-in janë ftohur, që pas refuzimit të thirrjes së shefit të Shtëpisë së Bardhë për të bllokuar sesionin e 6 Janarit.

Demokratët thonë se nëse Pence nuk pranon, do të nisin procedurat e hetimit në Kongres për shkarkimin e tij. Në çdo rast, në të dyja dhomat nevojiten 2/3at e mbështetjes që ka pak gjasa të arrihen. Nëse shkarkohet, Trump nuk kandidon dot për një mandat të dytë.

Tv Klan