Demokratët po shprehin shqetësim se njoftimi i FBI-së për hetime në disa emaile që mund të kenë lidhje me kandidaten për presidente Hillary Clinton, mund të ketë motivacione politike. Këto shqetësime ngrihen pasi FBI-ja mori autorizimin nga gjykata për të filluar hetimet mbi një numër emailesh që mund të kenë lidhje me procesin e mëparshëm hetimor mbi mënyrën se si Hillary Clinton ka përdorur serverin privat të emailit gjatë kohës që ishte Sekretare Shteti.

Hetuesit e FBI-së disa javë më parë arritën në përfundimin që emailet e zbuluara gjatë një procesi hetimor mbi një ish-politikan nga Nju Jorku mund të lidheshin me çështjen hetimore mbi zonjën Clinton, por ky fakt nuk u bë i ditur deri javën e kaluar, kur kishin mbetur vetëm 11 ditë nga data e zgjedhjeve.

Drejtori i FBI-së James Comey u dërgoi një letër disa figurave të larta në Kongres ku i njoftonte se hetuesit nuk e dinin ende nëse procesi hetimor do të zbulonte ndonjë fakt me rëndësi mbi procesin e zonjës Clinton, pasi nuk ishte analizuar ende materiali i zbuluar.

Comey akuzohet për politizimin e hetimeve

Udhëheqësi i pakicës në Senat, Henry Reid ngriti dje pikëpyetje për veprimet e drejtorit të FBI-së, duke aluduar se ai po e shfrytëzonte autoritetin e tij për të ndikuar mbi zgjedhjet dhe se me këto akte kishte thyer ligjin.

Në një letër, zoti Reid akuzonte se drejtori James Comey nuk kishte përfillur kërkesë për “informata eksplozive” që Senatori Reid beson se ka FBI-ja për lidhje mes fushatës së kandidatit republikan Donald Trump dhe Rusisë.

“Nga ana tjetër, sapo ju ra në dorë një dokument që dukej se mund të kishte lidhje me zonjën Clinton, u ngutët ta publikonit në mënyrën më negative të mundshme,” shkruan Senatori Reid.

Ish-Prokurori i Përgjithshëm Eric Holder dhe rreth 100 ish-zyrtarë të lartë të Departamentit të Drejtësisë shprehën gjithashtu shqetësim përmes një letre lidhur me njoftimin e zotit Comey dhe momentin kur u bë njoftimi, më pak se dy javë para zgjedhjeve.

“Nuk dimë të ketë një rast tjetër kur një zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë, republikan apo demokrat, në prag të zgjedhjeve ka bërë një deklaratë publike ku thjesht duke përmendur se po bëhen hetime mund të ndikojë mbi rezultatin e zgjedhjeve, megjithëse ai vetë pohon se informacioni që do të analizohet mund të mos jetë i rëndësishëm, ose mund të mos përmbajë të dhëna të reja”.

Në letër thuhet se populli amerikan meriton të shohë të gjithë informacionin në mënyrë që të marrë një pasqyrë të plotë të situatës.

Kandidati republikan për nënpresident, Mike Pence i doli në mbrojtje vendimit të zotit Comey duke e cilësuar si një shembull të “një udhëheqjeje të vërtetë”.

Të premten drejtori i FBI-së James Comey u dërgoi një njoftim punonjësve të FBI-së ku shpjegonte përse vendosi të informonte Kongresin. Ai pohon se “zakonisht ne nuk i njoftojmë anëtarët e Kongresit për hetimet që zhvillojmë” por ai shton se e ndjeu të detyrueshme t’i njoftonte pasi në dëshminë e tij para Kongresit disa muaj më parë kishte thënë se investigimet mbi zonjën Clinton ishin mbyllur. Ai shton se do të ishte një veprim çorientues për publikun amerikan “nëse nuk plotësohej procesi i investigimit”.

Trump krahason emailet me skandalin Watergate

Donald Trump reagoi menjëherë lidhur me pohimet e drejtorit të FBI-së duke i komentuar si dëshmi të reja që mbështesin tezën qendrore të fushatës së tij: Hillary Clintonit nuk i zihet besë.

Gjatë një aktiviteti për fushatë në shtetin Nju Meksiko, zoti Trump tha se hetimet mbi emailet e ish-Sekretares së Shtetit Clinton janë “skandali më i madh që nga Watergate”.

“Të votosh për Hillary Clintonin do të thotë të votosh për t’ia dorëzuar qeverinë korrupsionit, mit-marrjes, abuzimeve që kërcënojnë mbijetesën e Kushtetutës sonë,” tha ai të shtunën në Kolorado.

Emailet zbulohen gjatë një hetimi mbi komunikime me tone seksuale

Emailet e fundit u zbuluan gjatë një procesi që nuk kishte lidhje me hetimet mbi zonjën Clinton, por po analizonte nëse ishin bërë shkelje ligji nga ish-anëtari i Kongresit Anthony Ëeiner, bashkëshorti i asistentes së zonjës Clinton, Huma Abedin.

Zoti Weiner akuzohet se i ka dërguar një vajze 15 vjeçare emaile me tone seksuale. Në një kompjuter që përdorej nga zoti Weiner dhe bashkëshortja e tij Huma Abedin u gjetën disa emaile që FBI-ja beson se mund të kenë lidhje me hetimet mbi zonjën Clinton.

Anthony Weiner ishte anëtar i Kongresit deri në 2011, kur dha dorëheqjen pasi u bënë publike foto dhe komunikime seksuale me disa gra. Ai dhe bashkëshortja e tij, Huma Abedin u ndanë pasi FBI-ja filloi hetimet për të analizuar nëse emailet dhe SMS që ai kishte dërguar përbënin shkelje ligji, në veçanti pasi u zbuluan mesazhe që ai i kishte dërguar një të miture.

Demokratët “të shtangur” nga akti i FBI-së

Fushata e zonjës Clinton dhe demokratët e përshëndetën dëshminë e drejtorit të FBI-së James Comey në korrik, kur ai pohoi se ish-Sekretarja e Shtetit ishte treguar e pakujdesshme në komunikimet me email, por veprimet e saj nuk përbënin akte penale.

Por mundësia e rihapjes së procesit hetimor i ka shqetësuar demokratët.

“Një deklaratë e tillë, me kaq pak informacion, para zgjedhjeve është shumë e çuditshme,” tha zonja Clinton.

“Kam mbetur i shtangur,” tha kandidati demokrat për nënpresident Tim Kaine në programin This Ëeek të rrjetit mediatik ABC. “Nuk di si t’i shpjegoj këto veprime. Janë plotësisht të paprecedentë”.

Në një intervistë në emisionin Face the Nation të rrjetit mediatik CBS, të regjistruar para njoftimit të zotit Comey dhe të transmetuar të dielën, Nënpresidenti Joe Biden tha se zonja Clinton ndeshet me standard të dyfishtë kur është fjala për besueshmëri:

“Hillary e ka thënë vetë ‘Unë nuk jam kandidate shumë e mirë’ dhe kjo lidhet me stilin e saj. Ajo është më e matur, bën më pak gabime se unë apo shumë njerëz të tjerë. E gjithë kjo nuk lidhet me integritetin apo ndershmërinë e saj, por me stilin e saj,” tha zoti Biden.

Miliona amerikanë e kanë hedhur tashmë votën në votimet e hershme. Se si do të ndikojë njoftimi i drejtorit të FBI-së në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve është e paqartë, por anketat tregonin se diferenca po ngushtohej mes kandidatëve Clinton dhe Trump edhe para se zoti Comey të bënte njoftimin e tij./ Burimi: VOA (Zëri i Amerikës).