Kaosi që po ndodh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka shokuar liderët botërorë. Mbështetësit pro Donald Trump u futën brenda Kongresit Amerikan teksa po zhvillohej seanca për certifikimin e njohjes së rezultatit të zgjedhjeve ku fitoi demokrati Joe Biden.

Donald Trump reagoi duke u bërë thirrje protestuesve që të tërhiqen, por përsëriti disa herë që zgjedhjet janë vjedhur. E megjithatë, mbështetësit e tij vijojnë të qëndrojnë në territorin e Capitol Hill.

Ndodhur në kushte të tilla, mediat amerikane raportojnë se dy ligjvënës demokratë po nxisin zv/Presidentin amerikan Mike Pence që të zbatojë Amendamentin e 25 kundër Presidentit Donald Trump.

Ted Lieu nga Kalifornia dhe David Cicilline po hartojnë një letër për Mike Pence ku i kërkojnë që të nisë procedurat për Amendamentin e 25.

Por çfarë është Amendamenti 25? Ky amendament lejon zv/presidentin amerikan që së bashku me një shumicë të zyrtarëve të lartë të deklarojnë Presidentin të paaftë për të kryer kompetencat dhe detyrat e tij, e në këtë mënyrë i merr pushtetin. /tvklan.al