Kandidatët, pretendime për parregullsi në zgjedhje

75 mijë anëtarë të Partisë Demokratike janë thirrur të votojnë për kreun e ri të kësaj force politike në 76 qendra botimi në mbarë vendin.

Në garë për liderin e ri që do t’i drejtojë përgjatë katër viteve të qëndrimit në opozitë demokratët, janë katër kandidatë, mes të cilëve, kryetari në detyrë Lulzim Basha, Agron Shehaj, Fatbardh Kadilli dhe  Edit Harxhi.

I pari që iu drejtua kutive të votimit në selinë blu ishte Lulzim Basha, që i cilësoi këto zgjedhje vlerë të shtuar për PD-në.

“Me këto vlera e kemi nisur betejën për ndryshim për Shqipërinë e shqiptarët, me këto vlera do ta çojmë deri në rrëzimin e regjimit Rama-Doshi”, tha Basha.

Ndryshe nga Lulzim Basha, kandidati tjetër në garë, që votoi në selinë blu, Fatbardh Kadilli i cilësoi zgjedhjet njëmoment reflektimi.

“Është një garë që u  mbyll siç u nis e pabarabartë, por jam i lumtur që ndeza shkëndijën e parë të saj. Iu rikthye gara falë kurajos dhe propozimit”, tha Kadilli.

Agron Shehaj, i cili në nisje të zgjedhjeve denoncoi ecurinë e procesit, ku sipas tij nuk ishin lejuar vëzhguesit e tij në disa komisione, pas votimit në selinë blu tha se sot vendosej fati i zgjedhjeve të ardhshme.

“Nuk zgjidhet vetëm kryetari i PD, por vendoset fati i zgjedhjeve të ardhshme. Këto zgjedhje rrisin vlerat e PD, por nëse standardi është i ulët mund të kthehet në boomerang për PD”, tha Shehaj.

Në të njëjtën linjë me të ishte edhe e vetmja kandidate grua në garë Edit Harxhi e cila votoi në njësinë 5 ku foli për parregullsi.

“Procesi është me probleme të mëdha, anëtarësia është përgjysmuar. Mendoj që demokratët duhet të jenë në lista. Janë penguar demokratë, themelues partie të votojnë vetëm sepse u thuhet që nuk janë anëtarë aktivë”, tha Harxhi.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të demokrateve Bujar Nishani i cilësoi maskaradë zgjedhjet në PD.

“Për fat të keq kjo nuk u dëshmua sot, kemi një maskaradë elektorale, më vjen keq ta them këtë, por edhe unë jam përgjegjës si shumë demokratë të tjerë, kemi lejuar që të vazhdojë projekti për të rrënuar PD-në. Gabojnë rëndë ata që mendojnë se mund ta marrin peng PD-në, mund ta bëjnë një forcë pa energji”.

Ndërkohë në deklaratën për mediat kreu i Komisionit Zgjedhor në PD, Jemin Gjana iu përgjigj pretendimeve për parregullsi të Bujar Nishanit.

“Mos e ka ngatërruar me 25 Prillin ndoshta, gjithsesi është në të drejtën e tij. Gjithsesi jemi përpjekur të mos krijojmë asnjë problem për personat që janë vëzhgues të kandidatëve. Vetëm për llogari të kandidatit Shehajt kemi ndërruar tre komisionerë në Lushnje”.

Më vonë, kreu i Komisionit Zgjedhor në PD pranoi se ka pasur anëtarë të PD që nuk e kanë gjetur emrin në listat e votimit, por atyre iu është dhënë mundësia të votojnë me kartën e identitetit.

Tv Klan