Zaharia: Kujdes me përdorimin e kufjeve më shumë së 2 orë pandereje

Përdorimi i kufjeve dhe muzika e lartë po dëmtojnë dëgjimin gjithnjë e më shumë, kryesisht te të rinjtë. Sipas specialistes Klodiana Zaharia, grupmosha mbi 14 vjeç është më e rrezikuar, edhe pse pasojat i kuptojnë shumë më vonë.

“Grupmoshën nga 14 vjeç deri në 25 vjeç. Rinia e sotme që përdor kufjet e telefonave smart, dëgjimi ose parja e filmave me kufje në vesh, është parë në këtë grupmoshë ka një tendencë për dëmtimin e nervit të dëgjimit që pasohet me uljen e dëgjimit”, ka thënë mjekja ORL Klodiana Zaharia.

Për të rinjtë që punojnë në Call Center ky problem bëhet edhe më shqetësues, pasi e kanë të pashmangshëm përdorimin e kufjeve.

“Punonjësit në Call Centër, punonjësit që punojnë në ambiente me zhurmë, janë më fatkeqit sepse sepse e pësojnë sepse njeriu do shkojë në punë, ai është zanati dhe do ushqehet, e pësojnë nga ambienti i punës”, ka thënë mjekja.

Një kategori tjetër e riskuar janë edhe punonjësit, të cilët punojnë një ambient me zhurma të vazhdueshme.

“Punëtorët e fasonerive, punëtorët e ndërmarrjeve të mëdha ku priten metale, ku ndërtohet me metale, vijnë me ulje të theksuara të dëgjimit”, është shprehur Zaharia.

Mesatarisht 4 raste me shqetësime të tilla paraqiten çdo ditë te specialisti, për të cilët mjekja Zaharia jep disa këshilla.

“Mund të themi 3-4 në ditë, por për numrin e banorëve që ka Tirana, është shumë. Pra mos jetë kaq i fortë intensiteti, zhurma dhe niveli. Ka shumë smartphone që e kanë të shënuar dhe sasinë e decibelëve që t’i po dëgjon muzikë dhe të mos jenë të ekspozuar më shumë se dy orë”, është shprehur mjekja.

Problemet në dëgjim sipas specialistëve, janë evidente edhe tek ata që kanë sëmundje si diabet, tension të lartë apo personat në kimioterapi.

Klan News