Neymar e Danilo humbin dy sfidat e grupit të kupës së botës

Brazili humbet Neymar dhe Danilon për duelet e fazës së grupeve. Dëmtimi i pësuar ndaj Serbisë ka lënë në infermieri dyshen e “Seleçaos”, duke munguar për dy sfidat e radhës, ndaj Zvicrës dhe Kamerunit. Sipas rezultateve të testeve instrumentale, si ylli i PSG-së dhe mbrojtësi i Juventusit pësuan një ndrydhje në kyçin e këmbës. Dyshja ka nisur tashmë seancat e fizioterapisë për të përshpejtuar kohën e rikuperimit, me situatën që do monitorohet nga ora në orë.

Një goditje shumë e rëndë për trajnerin Tite dhe kombëtaren braziliane, që humbet dy lojtarë shumë të rëndësishëm të paktën për sfidat e grupit, tepër vendimtare për vazhdimësinë e 5 herë kampionëve të Botës. Mungesa me tepër peshë për Brazilin, që gjithsesi ka gati zëvendësuesit. Rodrygo është gati për të marrë vendin e sulmuesit të PSG-së.

Futbollisti i Real Madrid u hodh në fushë ndaj kombëtares ballkanase në vendin e Vinicius, teksa pak minuta më vonë, Neymar u dëmtua, për t’i lënë hapësirë Antony. Edhe për repartin mbrojtës, Tite pritet të aktivizojë nga minuta e parë lojtarin tjetër të spanjollëve, Militao. Qendërmbrojtësi pritet të marrë vendin e Danilos, duke konsoliduar repartin difensiv dhe i dhënë akoma dhe më shumë siguri prapavijës.

Tv Klan