Braziliani thërret Jon Mersinaj për ndeshjet me Moldavinë dhe Ishujt Faroe

Grumbullimi i kombëtares shqiptare për dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Euro2024 ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe ka nisur me ndryshime në organikë. Mbrojtësi, Arlind Ajeti ka shfaqur probleme fizike dhe pas ekzaminimeve mjekësore është vendosur të lihet jashtë për këto dy takime. Pas rezonancës magnetike është konkluduar se Ajeti ka një dëmtim në muskujt e pasëm të kofshës së majtë dhe ka nevojë për disa ditë pushim para se të nisë rikuperimin.

Futbollisti është dëmtuar gjatë ndeshjes së fundit në kampionatin rumun me Cluj, përballje në të cilën shënoi edhe gol. Në këto kushte, trajneri Sylvinho ka vendosur të thërrasë për këto dy ndeshje mbrojtësin Jon Mersinaj, i cili do të bashkohet me ekipin. Futbollisti i Lokomotivës së Zagrebit po kalon moment të mirë në Kroaci, duke qënë edhe kapiten i skuadrës. Lojtarët e tjerë nuk kanë probleme fizike dhe i gjithë grupi pritet të plotësohet.

Klan News